Tuesday, November 22, 2016

Morali

Në jetë kemi situata të ndryshme dhe vlerësim të moralit: Petriti i rrah fëmijët - të gjithë e konsiderojnë atë të dhunshëm dhe asnjëri nuk dëshiron të shoqërohet me të, përveç atyre të cilët edhe vetë janë të dhunshëm. Njomza është e butë dhe gjithmonë buzëqesh - dhe të gjithë e thërrasin në shoqëri. Behari nuk pastrohet rregullisht - të gjithë largohen prej tij për shkak të papastërtisë dhe erës që kundërmon. Arti u ndihmon gjithmonë të tjerëve - dhe të gjithë e lavdërojnë. Amari e ndan ushqimin e tij me të gjithë të uriturit dhe të gjithë i japin atij diçka nga ajo që kanë sjellë.
 Shikoni se çfarë sjellje të ndryshme kemi dhe çfarë karakteristika hasim te njerëzit. E tëre kjo bazohet në dy grupe themelore - ose i kemi të mirë ose të këqij. Veprat e mira quhen morale dhe personat të cilët veprojnë cilësohen si të moralshëm. Veprat e këqija cilësohen si të pamoralshme dhe njerëzit i vlerësojnë si të pamoralshëm personat të cilët kanë sjellje të këtilla. Morali është një ndër karakteristikat më të rëndësishme të njeriut. Te kafshët po ashtu mund të shohim elemente të moralit (kujdesi i tyre për të vegjlit, bashkëpunimi dhe ndihma e anëtarëve të llojit të njëjtë, dashuria dhe lidhja mes çifteve, qëndrueshmëria dhe këmbëngulja gjatë arritjes së qëllimeve). Mirëpo kafshët veprojnë sipas instinkteve, sjellja e tyre është shprehje e nevojave të tyre biologjike, pa vetëdije, dhe nuk është rezultat i asaj që kanë zgjedhur vetë ata. Vetëm qenia njerëzore mund të dallojë të keqën dhe të mirën dhe të sillet në mënyrë të mirë, të dobishme, të pëlqyer dhe të largohet nga e keqja. Ky është thelbi i moralit - njohja e së mirës, të duhet e mira dhe punët e mira, po ashtu edhe njohjen e së keqes dhe largimi prej saj. E mira dhe e keqja janë gjëra të kundërta njëra me tjetrën, ato konsiderohen si dy pole të cilat nuk mund të bashkohen dhe të përzihen.Ajo që është e mirë nuk është e keqe, dhe ajo që është e keqe nuk mund të jetë e mirë. Secili nga ne e dallon të mirën dhe të keqën prandaj ashtu sillet dhe i vlerëson të tjerët.

No comments:

Post a Comment

Ndryshim Prezantimi (Shkolla)